Nr.00-2012-1563 i Vendimit (294)

Nr.11117-00497-00-2008 i Regj.Themeltar

Nr.00-2012-1563 i Vendimit (294)

 

VENDIM

NË EMËR TË REPUBLIKËS

 

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:

 

Ardian Dvorani Kryesues

Fatos Lulo Anëtar

Andi Çeliku Anëtar

Medi Bici Anëtar

Edmond Islamaj Anëtar

 

në datën 05.06.2012 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen civile, që ju përket palëve :

 

PADITËS: PAQIZE GJINALI (BEGA),

LUMTURI GJASHTA (BEGA),

GËZIM BEGA,

MEHMET BEGA,

SHPËTIM BEGA,

BESNIK BEGA,

SABIRE BEGA,

AGIM BEGA,

HATIXHE ROSHI (BEGA),

NEXHMIJE AFJANI (BEGA),

LIRIJE BEGA,

ALTIN BEGA,

IRIS BEGA,

IRIDA SPAHIU (BEGA),

LEJLA BAHOLLI (HUTA),

BUJAR HUTA,

SHEMSHEDIN HUTA

TË PADITUR: FADIL BEGA,

BILAL BEGA,

ZIJA BEGA,

ZENEPE BEGA

PERSON I TRETË: SHOQËRIA "GU-AL-01" SH.P.K.

 

OBJEKTI:

Detyrimin e të paditurve të njohin paditësat

trashëgimtarë ligjorë të trashëgimlënësit Isuf Bega.

Detyrimin e të paditurve t’i njohin paditësat bashkëpronarë

në sipërfaqen e truallit prej 6690 m2,

sipërfaqe e përfituar si pasuri trashëgimore nga trashëgimlënësi Isuf Bega.

Konstatimin pjesërisht absolutisht të pavlefshëm

të kontratës të sipërmarrjes me nr.1956 rep., nr.122 kol.,

datë 29.03.2003 midis të paditurve dhe Shoqërisë “GU-AL-01”.

Baza Ligjore: Nenet 348, 349, 350, 364, 296 e 92/a të Kodit Civil.

 

 

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin nr.3016, datë 26.05.2006 ka vendosur:

Pranimin e padisë.

Detyrimin e palës së paditur Fadil Bega, Bilal Bega, Zija Bega dhe Zenepe Bega të njohin paditësat Paqize Gjinani, Lumturi Gjashta, Gëzim Bega, Mehmet Bega, Shpëtim Bega, Besnik Bega, Sabire Bega, Agim Bega, Hatixhe Roshi, Nexhmije Afjani, Lirije Bega, Altin Bega, Iris Bega, Irida Spahiu, Lejla Baholli, Bujar Huta, Shemshedin Huta trashëgimtarë ligjorë të trashëgimlënësit Isuf Bega në raportet: trashëgimtarët e Abdullah Bega në 19.375 %, trashëgimtarët e Mehmet Bega në 19.375%.

Detyrimin e të paditurve Fadil Bega, Bilal Bega, Zija Bega dhe Zenepe Bega të njohin paditësat Paqize Gjinani, Lumturi Gjashta, Gëzim Bega, Mehmet Bega, Shpëtim Bega, Besnik Bega, Sabire Bega, Agim Bega, Hatixhe Roshi, Nexhmije Afjani, Lirije Bega, Altin Bega, Iris Bega, Irida Spahiu, Lejla Baholli, Bujar Huta, Shemshedin Huta bashkëpronarë në sipërfaqen e truallit prej 6690 m2 të ndodhur në Tiranë me nr.regjistri hipotekor 2261, datë 26.03.1996 në raport me përqindjet e sipër shprehura.

Konstatimin pjesërisht absolutisht të pavlefshëm të kontratës së sipërmarrjes nr.1965 Rep., 122 kol., datë 29.03.2003 të lidhur ndërmjet Shoqërisë “GU-AL-01” sh.p.k. dhe të paditurve Fadil Bega, Bilal Bega, Zija Bega dhe Zenepe Bega, për pjesën takuese të paditësve.

 

Gjykata e Apelit Tiranë,me vendimin nr.1418, datë 21.11.2007 ka vendosur:

Lënien në fuqi të vendimit nr.3016, datë 26.05.2006 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

 

Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, nr.1418, datë 21.11.2007, në mbështetje të nenit 472 të K.Pr.C., brenda afatit ligjor, ka paraqitur rekurs pala paditëse Paqize Gjinali, etj., duke kërkuar ndryshimin e vendimeve në lidhje me pjesët takuese, për këto shkaqe:

  • Gjykatat kanë gabuar duke njohur trashëgimtarë të radhës së parë të të ndjerit Jusuf Bega, bashkëshorten e tij Fatime, pasi trashëgimlënësi ka vdekur në vitin 1939 dhe trashëgimia do të rregullohet sipas dispozitave të nenit 486 të K.Civil të vitit 1929, ku trashëgimtarë të radhës së parë ishin vetëm fëmijët apo me zëvendësim të paslindurit e tyre.

  • Në zbatim të dispozitave mbi trashëgiminë, që kanë rregulluar marrëdhëniet pasurore mes trashëgimlënësve të palëve ndërgjyqëse, trashëgimtarëve të të ndjerit Halil Bega u takon 40% e pasurisë trashëgimore, ndërsa trashëgimtarëve të të ndjerëve Abdulla dhe Mehmet Bega nga 30% e pasurisë trashëgimore.

Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, nr.1418, datë 21.11.2007, në mbështetje të nenit 472 të K.Pr.C., brenda afatit ligjor, ka paraqitur rekurs pala e paditur Fadil Bega, etj, duke kërkuar ndryshimin e vendimeve, për këto shkaqe:

  • Vendimet e gjykatave duhet të ndryshojnë për shkak se janë rrjedhojë e mosrespektimit të ligjit procedural, nenit 28 dhe 126 të K.Pr.C. dhe të ligjit material të neneve 1406 e vijues të K.Civil të vitit 1929. Kemi paraqitur prova që nuk janë marrë parasysh si në lidhje me tjetërsimin nga Mehmet Bega të 702 m2 nga trualli objekt konflikti, ashtu dhe me pjesën takuese të trashëgimlënëses tonë Fatime Bega.

  • Prona është blerë nga trashëgimlënësi pas vitit 1930, ndërkohë që martesa me të ndjerën Fatime ishte bërë para vitit 1910. Duke qenë se trashëgimlënësit e palës paditëse janë ndarë nga trungu familjar para blerjes së pronës, ajo duhet konsideruar në bashkëpronësi të të ndjerit Jusuf me të ndjerën Fatime, si bashkëzotnim. Ky pretendim sjell si përfundim se pjesët takuese të trashëgimlënësve të palës paditëse janë përkatësisht nga 9%.

  • Nisur nga kërkimi kryesor, nuk mund të kërkohej pavlefshmëria e pjesshme e kontratës së sipërmarrjes me personin e tretë, pa marrë formë të prerë kërkimi për njohjen pronar në pjesët takuese përkatëse. Nuk është ndërtuar siç duhet ndërgjyqësia, pasi shoqëria ndërtuese do të duhej të ishte në cilësinë e palës së paditur.

 

Në mbështetje të nenit 477 të K.Pr.C., ka ushtruar kundërrekurs pala e paditur duke kërkuar mospranimin e rekursit të palës paditëse.

 

KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË

pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Fatos Lulo; në mungesë të palëve ndërgjyqëse; si dhe pasi shqyrtoi çështjen në tërësi,

 

V Ë R E N

Rezulton se palët ndërgjyqëse janë të gjithë trashëgimtarë të të ndjerit Jusuf Bega. Ky i fundit, në cilësinë e subjektit të shpronësuar, është njohur pronar i një sipërfaqje prej 20.060 m2, në zbatim të ligjit nr.7698/1993. Me vendimin nr.793, datë 07.02.1996 të K.K.K.P. Tiranë, përpos njohjes së pronësisë është kthyer sipërfaqja prej 6690 m2, e cila rezulton të jetë regjistruar në regjistrat hipotekor të Z.V.R.P.P. Tiranë në emër të palës së paditur. Kjo e fundit rezulton që në vijim ka lidhur një kontratë sipërmarrje me personin e tretë për këtë sipërfaqe trualli. Rezulton që me vendimin nr.377, datë 06.09.2004 K.Rr.T. Bashkia Tiranë ka dhënë leje ndërtimi për ngritjen e një godine 6 kat+1 kat parkim nëntoke në këtë sipërfaqe trualli.

Pala paditëse pretendon se sipërfaqja e truallit në fjalë nuk i takon vetëm palës së paditur, por duke ngritur padinë e kërkimit të pasurisë trashëgimore kanë pretenduar dhe ata pjesët takuese në këtë sipërfaqe trualli. Si kërkim i ndërvarur është paraqitur pavlefshmëria e pjesshme e kontratës së sipërmarrjes për pjesën takuese të palës paditëse në pasurinë trashëgimore, objekt i kontratës së sipërmarrjes.

Nga aktet e administruara në dosjen gjyqësore rezulton se titulli i pronësisë mbi sipërfaqen e truallit është i prejardhur nga trashëgimlënësi Jusuf Bega.

Jusuf Bega rezulton të ketë vdekur në vitin 1939 dhe për këtë arsye, bazuar dhe në dispozitën e nenit 318 të K.Civil në fuqi, për rregullimin e trashëgimisë së tij do të përdoren dispozitat e K.Civil të vitit 1939. Rezulton se me vendimin nr.4271, datë 29.06.2005, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka lëshuar dëshminë e trashëgimisë ligjore për këtë subjekt, por kjo dëshmi është lëshuar në zbatim të gabuar të dispozitave të K.Civil të vitit 1929.

Kështu rezulton se Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, ka njohur si trashëgimtare të të ndjerit Jusuf dhe bashkëshorten e tij pasjetuese Fatime, ndërkohë që bazuar në nenin 486 të K.Civil të vitit 1929, bashkëshorti pasjetues, në rastet kur trashëgimlënësi linte pas fëmijë legjitime apo natyral, kishte të drejtën vetëm të uzufruktit të mbi një pjese takuese të pronësisë (pra nuk i njihej ndonjë e drejtë pronësie mbi sendet që linte në trashëgim bashkëshorti i vdekur), duke e trashëguar si trashëgimtarë të radhës së parë vetëm fëmijët e tij.

Duke u kthyer në situatën konkrete, me vdekjen e Jusufit në vitin 1939, rezulton se ai të ketë pasur 2 martesa (njëra prej të cilave, e fundit, me Fatime), nga të cilat ka patur 6 fëmijë. Rezulton se njëra prej vajzave Emineja, ka qenë e paravdekur në moshë të mitur, në vitin 1925. Po ashtu në vitin 1937, ka vdekur dhe djali i Jusufit, Halili (trashëgimlënësi i palës së paditur).

Në zbatim të dispozitës së nenit 469 dhe 486 të K.Civil të vitit 1929, me vdekjen e Jusufit në vitin 1937, pasuria e lënë prej tij do të ndahej në 1/5 pjesë secili mes djemve Abdullah, Mehmet (trashëgimlënësit e palës paditëse), fëmijëve të djalit Halil (pala e paditur), që trashëgonin me zëvendësim, vajzave Baftishja dhe Xhevrije. Fëmijët Halil, Baftishja dhe Xhevrije, i ndjeri Jusuf i kishte nga martesa e dytë me të ndjerën Fatime.

Pra e ndjera Fatime, ndryshe nga sa arsyetojnë gjykatat e faktit nuk trashëgonte asnjë të drejtë pronësie mbi sendin pas vdekjes së bashkëshortit Jusuf. Nisur nga kjo rrethanë juridike që pranohet gabimisht si e provuar dhe e mbështetur në ligj (K.Civil i vitit 1929), të dy gjykatat e faktit kanë arritur në përfundime të gabuara, përsa i përket raportit të pjesëve takuese të palëve ndërgjyqëse nga trashëgimia e të ndjerit Jusuf dhe në vijim nga trashëgimlënësit e tjerë të palëve ndërgjyqëse.

Gjykatat e faktit në rastin e trashëgimtares Fatime (bashkëshortja e dytë e të ndjerit Jusuf), interpretojnë në mënyrë të gabuar dy institute të ndryshme të së drejtës civile atë të uzufruktit dhe atë të pronësisë. Është krejt e qartë dispozita e nenit 486 të K.Civil të vitit 1929, i cili në rastin e bashkëshortes pasjetuese, i njeh të drejtën e uzufruktit mbi pjesë të barabarta për aq fëmijë sa le pas bashkëshorti trashëgimlënës, uzufrukt i cili nuk mund të barazohet me të drejtën e pronësisë, për sa kohë është institut i veçantë, që ka pasoja të ndryshme nga ai i pronësisë.

Arsyetimi i mësipërm që kanë përdorur gjykatat e faktit kanë sjellë si pasojë që përllogaritjet e kryera në lidhje me pjesët takuese të palëve ndërgjyqëse në këtë gjykim të jenë edhe ato të gabuara, për sa kohë palës së paditur (si trashëgimtare e vetme e të ndjerës Fatime), i është përllogaritur në pronësi edhe një pjesë takuese, që në vështrim të nenit 486 të K.Civil të vitit 1929, mbi të cilën ka pasur vetëm të drejtën e uzufruktit.

Në vështrim të nenit 486 të K.Pr.C., Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vjen në konkluzionin se gjatë rigjykimit të çështjes në gjykatën e apelit, kjo e fundit duke hetuar dhe disponuar mbi aktet gjyqësore dhe ato të gjendjes civile të ndodhura në dosje, apo eventualisht dhe të tjera, të arrijnë përfundime të mbështetura në ligj në lidhje me rrethin e trashëgimtarëve të trashëgimlënësve të palëve ndërgjyqëse dhe pjesët takuese të tyre, bazuar në dispozitat përkatëse të K.Civil të vitit 1929.

Në përllogaritjen e këtyre pjesëve, gjykata e apelit duhet të mbajë parasysh se përpos disponimit në lidhje me pjesët takuese në trashëgimi pas vdekjes së të ndjerit Jusuf, duhet të hetojë dhe disponojë dhe për pjesët takuese të të ndjerave Baftishja dhe Xhevrije.

Të dyja këto shtetase kanë ndërruar jetë përkatësisht në vitet 1942 dhe 1945, vite gjatë të cilëve e drejta e trashëgimisë gjente rregullim sërish në dispozitat e K.Civil të vitit 1929. Në këtë kuptim, në interpretim të nenit 473 të K.Civil të vitit 1929 (në fuqi në vitin 1942 dhe 1945) pjesa prej 1/5 të pasurisë që ato (të ndjerat Baftisha dhe Xhevrije) kishin trashëguar nga ati i tyre i ndjerë Jusuf do t’i kalojë nënës së tyre Fatime, fëmijëve të vëllait Halil dhe vëllezërve Abdulla dhe Mehmet, me kusht që në të dyja rastet nëna Fatime të trashëgojë 1/3 pjesë të vajzave të saj të ndjera, kurse vëllezërit prej babe të të ndjerave të mos përfitojnë më shumë se gjysma e pjesës që përfitojnë me zëvendësim trashëgimtarët e vëllait të ndjerë Gjermen Halil.

Nisur nga rrethi i madh i trashëgimtarëve, në përllogaritjen matematikore të pjesëve takuese të secilit prej trungjeve familjare të palëve ndërgjyqëse, në vështrim të nenit 224/a të K.Pr.C, nëse e gjykon të nevojshme, Gjykata e Apelit Tiranë gjatë rigjykimit të çështjes mund të kërkojë ndihmën e një eksperti për të ardhur në përfundime të sakta.

 

PËR KËTO ARSYE

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 485/c të Kodit të Procedurës Civile,

 

V E N D O S I

Prishjen e vendimit nr.1418, datë 21.11.2007 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit Tiranë, por me trup tjetër gjykues.

 

Tiranë, më 05.06.2012

 

Abonohu



Receive HTML?