Nr.00-2012-1718 i Vendimit (327)

Nr.11243-01422-00-2012 i Regj.Themeltar

Nr.00-2012-1718 i Vendimit (327)

 

VENDIM

NË EMËR TË REPUBLIKËS

 

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:

 

Besnik Imeraj Kryesues

Ardian Dvorani Anëtar

Fatos Lulo Anëtar

Evelina Qirjako Anëtare

Medi Bici Anëtar

 

në datën 19.06.2012 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të hapura, çështjen civile që u përket palëve të mëposhtme:

 

PADITËS: SHOQËRIA “FATJOLA” SH.P.K me qendër në Fier, në mungesë.

I PADITUR: SHOQËRIA “2 A.B” SH.P.K, me qendër në Tiranë, përfaqësuar në gjyq nga administratori i saj Petrit Bregu, e pa mbrojtur me avokat.

ZYRA E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME SARANDË, në mungesë

 

OBJEKTI:

Detyrimin e palës së paditur për të zbatuar aktmarrëveshjen

të lidhur më datë 20.09.2008, si dhe të kalojë në favor

të Shoqërisë “Fatjola” Sh.p.k të gjitha detyrimet e përcaktuara sipas aktmarrëveshjes; pavlefshmërinë e veprimeve të kryera nga pala e paditur në Z.R.P.P. Sarandë;

marrja e masës së sigurimit për pezullimin e lidhjes së kontratave me të tretët

dhe detyrimin e Z.R.P.P. Sarandë të mos kryejë asnjë transaksion

mbi pasurinë e paluajtshme të ndërtuar sipas lejes së ndërtimit

me nr.3/6, datë 17.11.2006 të K.R.T-së pranë Bashkisë Sarandë,

deri në përfundim të shqyrtimit të çështjes civile.

Baza Ligjore: Nenet 153, 154, 202, 390 të K.Pr.Civile

dhe nenet 690, 693, 698, 640 të K.Civil.

 

 

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandëme vendimin nr.s’ka, datë 12.04.2012 ka vendosur:

Rrëzimin e kërkesës dhe vazhdimin e gjykimit të çështjes civile.

 

Kundër vendimit të mësipërm, ka bërë ankim të veçantë pala e paditur Shoqëria “2 A.B” Sh.p.k, e cila kërkon: Pranimin e ankimit të veçantë dhe dërgimin e akteve Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si gjykatë kompetente.

 

Shkaqet që ngrihen nga pala e paditur në ankimin e veçantë janë:

  • Gjykata interpreton gabim nenin 53 të K.Pr.C, pasi ai është një nen që bën fjalë vetëm për personat fizikë dhe jo personat juridikë, përndryshe ligjvënësi nuk do të shprehej me fjalët vendbanim dhe vendqëndrimin, ndërkohë që të dyja palët e paditura janë persona juridikë.

  • Gjykata gabon kur vlerëson se personi juridik e ka qendrën në Sarandë, pasi qendra e Z.R.P.P. është në Tiranë dhe në Sarandë është vetëm një pikë e këtij personi juridik dhe ligjvënësi lejon vetëm në raste të veçanta, që në bazë të nenit 43 të K.Pr.C. të zhvillohet gjykimi në gjykatën e vendit ku është dega e personit juridik.

  • Gjykata duhet të marrë parasysh se janë dy palë të paditura dhe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë kanë mundësinë të dyja të përfaqësohen në bazë të nenit 43 të K.Pr.C., ndërsa në Sarandë ne si shoqëri nuk kemi asnjë degë dhe asnjë përfaqësues për të ndjekur gjykimin.

  • Neni 43 i K.Pr.C. në mënyrë eksplicite shprehet se për personat juridik padia ngrihet atje ku ato kanë qendrën e tyre dhe rrjedhimisht meqenëse shoqëritë e kanë qendrën në Tiranë, padia duhet të ngrihet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

 

KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË

pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Medi Bici; dhe bisedoi në tërësi çështjen ku në gjykim ishte i pranishëm personalisht administratori i Shoqërisë “2 A.B” Sh.p.k, por i papërfaqësuar me mbrojtës ligjor; në përfundim,

 

V Ë R E N

Në Gjykatën e Lartë, me datë 22.05.2012 është regjistruar çështja civile nr.11243-01422-00-2012 regj. them., që u përket palëve ndërgjyqëse: paditëse Shoqëria “Fatjola” Sh.p.k dhe të paditura Shoqëria 2 “A.B” Sh.p.k e Z.R.P.P. Sarandë, me objekt zbatimin e aktmarrëveshjes, etj.

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se ndaj vendimit nr.s’ka, datë 12.04.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë nuk mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën e Lartë, prandaj gjykimi i kësaj çështje duhet të pushohet.

Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes rezulton e provuar si më poshtë:

Pala paditëse, Shoqëria “Fatjola” Sh.p.k Fier dhe pala e paditur, Shoqëria “2 A.B” Sh.p.k Tiranë, me datë 20.09.2008 kanë lidhur një aktmarrëveshje ndërmjet tyre, sipas të cilës pala paditëse merrte përsipër ndërtimin e një objekti në qytetin e Sarandës, sipas lejes së ndërtimit, të datës 17.11.2006 të dhënë nga Bashkia Sarandë.

Me pretendimin se pala e paditur, Shoqëria “2 A.B” Sh.p.k, nuk ka përmbushur detyrimet e parashikuara në aktmarrëveshje, pala paditëse i është drejtuar me padi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, e cila me vendim të ndërmjetëm ka rrëzuar kërkesën e palës së paditur Shoqëria “2 A.B” Sh.p.k për shpalljen e moskompetencës tokësore të kësaj gjykate, prandaj pala e paditur Shoqëria “2 A.B” Sh.p.k ka paraqitur ankim të veçantë në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar prej saj prishjen e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë dhe dërgimin e çështjes për kompetencë gjykimi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, pala e paditur Shoqëria “2 A.B” Sh.p.k ka ushtruar ankim ndaj një vendimi kundër të cilit ligji nuk lejon që të bëhet ankim i veçantë në Gjykatë të Lartë, por ai mund të kundërshtohet bashkë me vendimin përfundimtar, prandaj i ndodhur në këto rrethana, Kolegji Civil vlerëson se duhet të vendoset pushimi i gjykimit të çështjes në Gjykatën e Lartë.

 

Në nenin 62 të K.Pr.Civile thuhet:

Kundër vendimit të gjykatës që ka shpallur moskompetencën për gjykimin e mosmarrëveshjes, si dhe kundër vendimit të saj mbështetur në nenin 60 të këtij Kodi, mund të bëhet ankim i veçantë nga palët dhe prokurori, kur ka ngritur padi ose ka marrë pjesë në gjykimin e mosmarrëveshjes në Gjykatën e Lartë.

Nga citimi i dispozitës ligjore të mësipërme del e qartë se mund të ankohen drejtpërdrejt në Gjykatën e Lartë vetëm ato vendime në të cilat gjykata e shkallës së parë ka vendosur moskompetencën e saj për gjykimin e çështjes dhe ka urdhëruar dërgimin e akteve në gjykatën kompetente.

Rasti në gjykim nuk është i tillë, pasi gjykata e shkallës së parë në seancën gjyqësore të datës 12.04.2002, pas kërkesës së palës së paditur Shoqëria “2 A.B” Sh.p.k që kompetente për gjykimin e çështjes është Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vendosur rrëzimin e kërkesës dhe vazhdimin e gjykimit, duke arritur në konkluzionin se gjykatë kompetente nga pikëpamja territoriale është edhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, pasi njëri nga të paditurit dhe pikërisht Z.R.P.P. Sarandë e ka qendrën në qytetin e Sarandës.

I ndodhur në këto rrethana Kolegji Civil vlerëson se kjo çështje nuk mund të gjykohet, për shkak se ligji nuk lejon që ndaj një vendimi të tillë mund të paraqitet ankim i veçantë në Gjykatën e Lartë dhe për rrjedhojë gjykimi i çështjes duhet të pushohet.

 

PËR KËTO ARSYE

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenet 62 dhe 485 të K.Pr.Civile,

 

V E N D O S I

Pushimin e gjykimit të çështjes në Gjykatën e Lartë.

 

Tiranë, më 19.06.2012

 

Abonohu



Receive HTML?