Nr.00-2012-1581 i Vendimit (315)

Nr.31001-00837-00-2008 i Regj. Themeltar

Nr.00-2012-1581 i Vendimit (315)

 

VENDIM

NË EMËR TË REPUBLIKËS

 

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:

 

Besnik Imeraj Kryesues

Ardian Nuni Anëtar

Guxim Zenelaj Anëtar

Majlinda Andrea Anëtare

Mirela Fana Anëtare

 

në seancën gjyqësore të datës 14.06.2012 mori në shqyrtim çështjen civile, që u përket palëve:

 

PADITËS: ARTAN HOXHA, në mungesë

TË PADITUR: DREJTORIA E POLICISË SË QARKUT BERAT, përfaqësuar nga juristja Valbona Qafa

DREJTORIA E PËRGJITHSHME E POLICISË TIRANË, përfaqësuar nga juristja Sonila Hoxhaj

 

OBJEKTI:

Anullim i urdhërit nr.263/2, datë 30.11.2006.

Detyrimin për rimarrje në punë e dëmshpërblimin përkatës.

Baza Ligjore: Nenet 1, 20, 32/5, 6, 8 të ligjit nr.8553, datë 25.11.1999

Për Policinë e Shtetit”.

Nenet 4/5, 7/2, 141 e vijues të K.Punës.

 

 

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat,me vendimin nr.502, datë 30.04.2007, ka vendosur:

Pranimin pjesërisht të padisë së paditësit Artan Hoxha.

Anullimin e urdhërit nr.263/2, datë 30.11.2006 të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Rrëzimin e padisë së paditësit Artan Hoxha për sa i takon kërkimit për rikthim në detyrën e mëparshme.

Detyrimin e të paditurit Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit të dëmshpërblejë paditësin Artan Hoxha me:

- 12 paga mujore sipas funksionit të specialistit të Policisë Shkencore pranë Komisariatit të Policisë Skrapar;

- 2 paga mujore për mosrespektim të afatit të njoftimit;

- 2 paga mujore për mosrespektim të procedurës për zgjidhjen e kontratës.

 

Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.40, datë 01.02.2008, ka vendosur:

Ndryshimin e vendimit nr.502, datë 30.04.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, dhe duke e gjykuar çështjen në fakt:

Rrëzimin e kërkesë padisë.

 

Kundër vendimit të gjykatës së apelit ka ushtruar rekurs paditësi Artan Hoxha, me të cilin kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në po këtë gjykatë, për këto shkaqe:

  • Vendimi i gjykatës së apelit është dhënë në mosrespektim të ligjit dhe është rezultat i shkeljeve procedurale që kanë ndikuar në dhënien e tij.

  • Vendimi i gjykatës së apelit bie në kundërshtim me vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë nr.31, datë 14.04.2003, që ka prishur vendimin dhe ka kthyer çështjen për rigjykim në gjykatën e apelit.

  • Referuar vendimit unifikues të mësipërm, e drejta e rikthimit në punë nuk gëzon mbrojtje gjyqësore, ndërsa e drejta e dëmshpërblimit është një e drejtë që e gëzon këtë mbrojtje, prandaj si palë e dëmtuar nga pushimi i padrejtë gëzoj të drejtën e dëmshpërblimit.

 

KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË

pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Ardian Nuni; përfaqësuesen e palës së paditur, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat, juristen Valbona Qafa, që kërkoi lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së apelit; dhe si bisedoi çështjen në tërësi,

 

V Ë R E N

Rrethanat e çështjes

1. Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se paditësi Artan Hoxha ka qenë në marrëdhënie pune pranë Komisariatit Skrapar, Drejtoria e Policisë së Qarkut Berat me detyrën e specialistit të Policisë Shkencore, me gradën nënkolonel.

2. Me urdhërin nr.263/2, datë 30.11.2006 të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është vendosur largimi i paditësit nga Policia e Shtetit me motivacionin “për shkurtim të funksionit organik”. Në zbatim të këtij urdhëri, Drejtori i Policisë së Qarkut Berat ka nxjerrë urdhërin nr.973, datë 15.12.2006, sipas të cilit paditësit i janë ndërprerë të drejtat administrative në ditën e nesërme të njoftimit të urdhërit, ndërsa të drejtat financiare i janë ndërprerë më datën 16.12.2006. Gjithashtu, është urdhëruar trajtimi financiar i paditësit për ditët e pushimeve vjetore të pakryera dhe, bazuar në ligjin nr.8661, datë 18.09.2000 “Për sigurimin shoqëror të punonjësve të Policisë së Shtetit” t’i paguhen dy paga shpërblim, si dhe pagesa kalimtare nga data 16.12.2006, me 50% të pagës referuese.

3. Paditësi Artan Hoxha, me pretendimin se largimi nga Policia e Shtetit është i paligjshëm, pasi për rastin nuk bëhet fjalë për shkurtim të funksionit organik, me padi drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Skrapar ka kërkuar: “Anullimi i Urdhërit nr.263/2, datë 20.11.2006 të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Detyrimin e të paditurit, të rimarrë në Polici paditësin Artan Hoxha dhe të dëmshpërblejë dëmin rrjedhës”.

4. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Skrapar, me vendimin nr.26, datë 29.01.2007, ka shpallur moskompetencën tokësore të kësaj gjykate për gjykimin e çështjes civile nr.49 Akti, datë 11.01.2007 regjistrimi dhe i ka dërguar aktet gjykatës kompetente, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat.

5. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, me vendimin nr.502, datë 30.04.2007, ka pranuar pjesërisht padinë, duke anulluar urdhërin nr.263/2, datë 30.11.2006 të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe detyruar palën e paditur të dëmshpërblejë paditësin me 12 paga mujore sipas funksionit të specialistit të Policisë Shkencore pranë Komisariatit të Policisë Skrapar, 2 paga mujore për mosrespektim të afatit të njoftimit dhe 2 paga mujore për mosrespektim të procedurës për zgjidhjen e kontratës, ndërsa ka rrëzuar kërkimin për rikthim në detyrën e mëparshme.

5.1. Në pranimin e pjesshëm të padisë gjykata arsyeton se: “...nga provat shkresore..., rezulton se motivi i largimit të paditësit nga Policia e Shtetit “për shkurtim të funksionit organik” në rastin konkret nuk qëndron...Funksioni organik i specialistit të policisë shkencore pranë Komisariatit Skrapar nuk është shkurtuar. Kjo sepse me urdhërin nr.264/4 datë 30.11.2006 të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në këtë funksion është transferuar dhe emëruar një punonjës tjetër i policisë shkencore, nga Drejtoria e Policisë e Qarkut Berat”; Për sa i takon prapësimit të palës së paditur “...se në kuadër të ristrukturimit është bërë edhe përshtatja e funksionit me arsimin përkatës”, gjykata ka çmuar “...se ai del jashtë objektit të këtij gjykimi. Në rast se pala e paditur pretendonte moskualifikimin profesional të paditësit, atëherë ajo duhet të kishte vendosur përjashtimin e tij nga Policia e Shtetit sipas nenit 230, pika 3, germa ç të Ligjit nr.8553, datë 25.11.1999... dhe jo largimin e tij për shkurtim të funksionit organik sipas nenit 20, germa ç të po këtij ligji”; “Sa i takon llojit dhe masës shpërblimit, gjykata i referohet kritereve të Kodit të Punës për rastet e zgjidhjes së menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës”.

6. Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.40, datë 01.02.2008, ka ndryshuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe ka rrëzuar padinë.

6.1. Në ndryshimin e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe rrëzimin e padisë, gjykata e apelit arsyeton: Konkluzioni i gjykatës së shkallës së parë “...është i gabuar, sepse ndryshe nga ç’ka arsyetuar gjykata e faktit në vendimin e saj ka rezultuar se paditësi është larguar nga puna në bazë të nenit 20/c e ligjit 8553, datë 25.11.1999 të Policisë së Shtetit, në kuadër të ristrukturimit të Policisë së Shtetit të Qarkut Berat (nga varet dhe Komisariati i Policisë Skrapar, në të cilin ka punuar paditësi...)”;“Me këtë vendim, pala e paditur ka bërë përshtatjen midis funksioneve dhe arsimit profesional lidhur me ekspertët kriminalist sepse Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Qarkut Berat, nga 4 specialistë të kësaj kategorie ka 3 specialistë (që mbulojnë veprimtaritë në Berat, Kuçovë, Skrapar, në këtë fushë), sipas pikës 4 të urdhërit të shërbimit nr.689/1, datë 25.10.2006 të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”.

7. Kundër vendimit të gjykatës së apelit ka ushtruar rekurs paditësi Artan Hoxha, me të cilin kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në po këtë gjykatë, për shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.

Ligji i zbatueshëm

8. Dispozitat e Kodit të Proçedurës Civile; të Kodit të Punës; të ligjit nr.8553, datë 25.11.1999 “Për Policinë e Shtetit” dhe ato të ligjit nr.8661, datë 18.09.2000 “Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, në të cilat është parashikuar:

8.1. Neni 16§1 i K.Pr.Civile:“Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.

8.2. Neni 29 i K.Pr.Civile: “Gjykata mbështet vendimin në provat e paraqitura nga

palët ose nga prokurori, të marra në seancë gjyqësore.

Gjykata çmon provat që ndodhen në aktet, në bazë të bindjes së saj të brendshme, të formuar nga shqyrtimi në tërësinë e tyre i rrethanave të çështjes”.

8.3. Neni 4§2 i K.Punës: “Dispozita të veçanta të këtij Kodi zbatohen edhe ndaj personave, punësimi i të cilëve rregullohet me ligj të veçantë, nëse ligji i veçantë nuk parashikon zgjidhje për probleme të lidhura me marrëdhëniet e punës”.

8.4. Neni 20 pika 1/ç dhe pika 2 i ligjit nr.8553, datë 25.11.1999: “1. Punonjësi i Policisë largohet nga Policia në këto raste: a)…; b)…; c)…; ç) kur shkurtohet funksioni organik. 2. Kur punonjësi i Policisë riaftësohet apo kur krijohen funksione të reja organike në Polici, ripranimi bëhet vetëm nga kategoria e të larguarve, duke marrë për bazë formimin, kualifikimin dhe vjetërsinë e shërbimit në Polici para largimit”.

8.5. Neni 64 pika 1, pika 2/f/g i ligjit nr.8553, datë 25.11.1999: “1. Punonjësi i policisë, përveç përfitimeve që rrjedhin nga ligji nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë" me ndryshimet dhe plotësimet e mëvonshme, gëzon të drejtën e përfitimeve të tjera, suplementare. 2. Përfitimet suplementare për punonjësit e policisë janë: a)…; b)…; c)…; ç)…; d)…; dh)…; e)…; ë)…; f) trajtim me pagesë kalimtare, për shkak të ndërprerjes ose të pamundësisë së vazhdimit të karrierës; g) kompensime e trajtime të tjera, të parashikuara me akte normative të veçanta”.

8.6. Neni 6§1 i ligjit nr.8661, datë 18.09.2000:“Punonjësit të Policisë së Shtetit, që ndërpret karrierën, i jepet një shpërblim i menjëhershëm, në masën e dy pagave mujore, të muajit të fundit të shërbimit, dhe nga data e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare përfiton pagesë kalimtare, në masën pesëdhjetë për qind të pagës referuese, për aq kohë sa ka vjetërsi shërbimi, por jo më shumë se tre vjet.

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë Vlerëson

9. Se rekursi i paraqitur nga paditësi Artan Hoxha nuk përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile që të motivojnë cenimin e vendimit nr.40, datë 01.02.2008 të Gjykatës së Apelit Vlorë, me të cilin është ndryshuar vendimi nr.502, datë 30.04.2007 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat dhe rrëzuar padia.

10. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimit, pretendimeve e prapësimeve të palëve, vendimeve të gjykatave të faktit, shkaqeve të rekursit dhe parashtrimeve në seancë gjyqësore, arrin në përfundimin se vendimi i gjykatës së apelit duhet lënë në fuqi.

11. Ky Kolegj vlerëson se gjykata e apelit, ndonëse në arsyetimin e saj ka mungesë koherence, ka bërë një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen në gjykim dhe ka zgjidhur mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

11.1. Pretendimi se gjykata e apelit ka lejuar shkelje procedurale që kanë ndikuar në dhënien e vendimit nuk qëndron. Nga aktet procedurale evidentohet se gjykata e apelit, ka garantuar zhvillimin e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes (neni 14), ka evidentuar rrethanat dhe faktet që lidhen me gjykimin e saj, duke respektuar kërkesat e neneve 16, 20, 29 dhe 309 të Kodit të Procedurës Civile.

12. Ndryshe nga gjykata e shkallës së parë e cila në zbatim të gabuar të ligjit ka zgjidhur mosmarrëveshjen në gjykim bazuar në dispozitat e Kodit të Punës, gjykata e apelit në vlerësim të drejtë të shkakut të zgjidhjes së marrëdhënies së punës së paditësit, të largimit të tij nga Policia e Shtetit, me të drejtë ka zbatuar dispozitat e ligjit të posaçëm.

12.1. Ky Kolegj, në shqyrtim të ligjshmërisë të vendimit të gjykatës së apelit, evidenton se nga kjo gjykatë janë respektuar kërkesat e ligjit procedural civil dhe atij material në zgjidhjen e çështjes konkrete, duke dhënë dhe arsyet ligjore se përse ka ndryshuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

12.2. Gjithashtu, evidentohet se vendimi i gjykatës së apelit është mbështetur në dispozitat ligjore të zbatueshme për gjykimin e çështjes konkrete dhe në argumente të nxjerra nga provat, të cilat janë marrë, administruar e vlerësuar si të tilla konform dispozitave të Kodit të Procedurës Civile.

13. Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore dhe pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykatat e faktit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykatat e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimeve të gjykatave të faktit.

14. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, nisur nga rrethanat specifike të rastit konkret, e gjen me vend të parashtrojë se zbatueshmëria e Kodit të Punës shqyrtohet në katër aspekte: (i) në hapësirë “ratio loci” (neni 3 i K.Punës); (ii) sipas personave “ratio personae” (neni 4 i K.Punës; (iii) sipas fushës “ratio materiae” (neni 5 i K.Punës) dhe (iv) në kohë “ratio temporis” (neni 6 i K.Punës.

14.1. Sipas nenit 4 të Kodit të Punës, dispozitat e këtij Kodi do të gjejnë zbatim në ato raste kur mosmarrëveshja konkrete e lindur për shkak të marrëdhënieve të punës nuk gjen rregullim në dispozitat e ligjit të veçantë. Në të kundërt, sikurse është edhe rasti në shqyrtim, nëse në dispozitat e ligjit të veçantë gjejnë rregullim marrëdhëniet konkrete për shkak të së cilave punëmarrësi, paditësi ka kërkuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes në rrugë gjyqësore do të zbatohen këto të fundit.

14.2. Ky qëndrim nuk bie ndesh me vendimin njësues nr.31, datë 14.04.2003 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Në këtë vendim janë parashikuar rastet e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve që mund të lindin nga marrëdhëniet e punës kur për to nuk ka rregullime konkrete në ligjin e posaçëm.

15. Në koherencë me rregullimet ligjore të sipërcituara Kodi i Punës zbatohet në mënyrë subsidare, në çdo rast që për punëmarrësin nuk mund të zbatohet ndonjë ligj tjetër i veçantë. Kështu, inter alia, janë të përjashtuar nëpunësit e shërbimit civil, gjykatësit, prokurorët, punonjësit e policisë, oficerët aktivë të Forcave të Armatosura, etj., por gjithnjë parimi i subsidiaritetit shtrihet edhe në zbatimin e pjesshëm të Kodit të Punës për rastet kur në ligjet e veçanta ka vakum ligjor.

15. Në përcaktimin e ligjit të zbatueshëm për rastin në shqyrtim duhet referuar në kategorizimin e personit dhe të fushës ku paditësi ka ushtruar detyrën (“ratio personae” dhe “ratio materiae”).

15.1. Ky Kolegj vlerëson se për rastin konkret gjejnë zbatim dispozitat e ligjit të posaçëm, sikundër me të drejtë arsyeton gjykata e apelit. Kjo për arsye se në legjislacionin e posaçëm (ligji nr.8553, datë 25.11.1999 dhe nr.8661, datë 18.09.2000), parashikohet statusi i punonjësit të Policisë (neni 15); pranimi në radhët e policisë (neni 16), emërimi dhe lirimi (neni 19), largimet dhe përjashtimet (neni 20), masat disiplinore (neni 29) dhe ankimet për largimin ose përjashtimin nga policia (nenet 31 e 32). Ndonëse nuk janë përcaktuar në mënyrë shteruese rastet e zgjidhjes së kontratës së punës, si dhe marrëdhëniet e punës midis punëdhënësit dhe punëmarrësit në tërësinë e saj, në këtë legjislacion janë përcaktuar në mënyrë eksplicite jo vetëm rastet kur punonjësi largohet nga Policia e Shtetit dhe për rrjedhojë i zgjidhet kontrata e punës, por ligji ka përcaktuar dhe të drejtat që punonjësit të policisë i takojnë si përfitime suplementare nga zgjidhja e kontratës së punës, me përjashtim të rasteve të thyerjes së disiplinës (neni 20/3 i ligjit nr.8553, datë 25.11.1999 dhe neni 6§3 pikat a,b,c i ligjit nr.8661, datë 18.09.2000).

15.2. Në kuptim të legjislacionit të sipërcituar, largimi nga Policia e Shtetit është i ndryshëm nga përjashtimi, si për arsyet për të cilat ai kryhet, ashtu dhe për pasojat juridike që vijnë prej tij. Në thelb largimi nga Policia e Shtetit është ndërprerje karriere ose pamundësi e vazhdimit të saj për rastet e parashikuara shprehimisht në ligj (neni 20/1/2 i ligjit nr.8553, datë 25.11.1999), ndërsa përjashtimi është i lidhur pazgjidhshmërisht me rrethana të tilla që kanë të bëjnë me veprime ose mosveprime të punonjësit në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore që normojnë veprimtarinë në Policinë e Shtetit apo thënë ndryshe me veprime apo mosveprime që përbëjnë, të paktën, shkelje disiplinore (nenet 20/3 dhe 29/e të ligjit 8553, datë 25.11.1999). Edhe në këtë rast ka ndërprerje të karrierës, por kjo ndërprerje është rrjedhojë e sanksioneve penale apo disiplinore ndaj punonjësit të përjashtuar nga Policia e Shtetit dhe ai nuk përfiton asnjë nga të drejtat që i takojnë punonjësit të larguar në bazë të nenit 20/1 të po këtij Ligji.

15.3. Kështu, punonjësi që largohet nga Policia e Shtetit për arsyet e parashikuara në germat “a”, “b”, “c” dhe “ç” të pikës 1 të nenit 20 të ligjit “Për Policinë e Shtetit” jo vetëm që kur riaftësohet apo kur krijohen funksione të reja organike në Polici, ripranimi bëhet vetëm nga kategoria e të larguarve, duke marrë për bazë formimin, kualifikimin dhe vjetërsinë e shërbimit në Polici para largimit”, por ai, “…përveç përfitimeve që rrjedhin nga ligji nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë" me ndryshimet dhe plotësimet e mëvonshme, gëzon të drejtën e përfitimeve të tjera, suplementare” të tilla, inter alia, si: (i) trajtim me pagesë kalimtare, për shkak të ndërprerjes ose të pamundësisë së vazhdimit të karrierës (neni 64/2/f) dhe po sipas nenit 6/1 të ligjit nr.8661… “Punonjësit të Policisë së Shtetit, që ndërpret karrierën, i jepet një shpërblim i menjëhershëm, në masën e dy pagave mujore, të muajit të fundit të shërbimit dhe nga data e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare përfiton pagesë kalimtare, në masën pesëdhjetë për qind të pagës referuese, për aq kohë sa ka vjetërsi shërbimi, por jo më shumë se tre vjet”.

16. Në thelb përfitimet e sipërpërmendura për rastet kur punonjësi i policisë së shtetit ndërpret karrierën jo për shkaqe disiplinore nuk njësohen me shpërblimin e dëmit që përfiton punonjësi i policisë së shtetit kur marrëdhënia e punës i zgjidhet në mënyrë të njëanshme, me efekt të menjëhershme dhe pa shkaqe të arsyeshme apo të justifikuara në kuptim të neneve 146 dhe 153 të Kodit të Punës. Por, nga ana tjetër, ndërprerja e karrierës për shkaqet e parashikuara nga pika 1 e nenit 20 të ligjit “Për Policinë e Shtetit” i shoqëruar me përfitimet e parashikuara në dispozitat ligjore të sipërcituara nuk përbën shkak ligjor që punonjësit të larguar nga policia t’i jepen dëmshpërblimet sipas dispozitave të Kodit të Punës (nenet 146, 145, 153, 154, 155).

16.1. Kjo dhe për arsye se nuk ndodhemi përpara rastit kur zgjidhja e kontratës së punës është bërë apo pretendohet se është bërë për shkaqe që lidhen me disiplinën e punës dhe/ose me respektimin ose jo të detyrimeve kontraktuale midis palëve (neni 153 i K.Punës).

17. Duke i’u kthyer çështjes në shqyrtim rezulton se me urdhërat nr.263/2, datë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe nr.973, datë 15.12.2006 të Drejtorit të Policisë së Qarkut Berat, si dhe për sa kanë pranuar të vërtetuar gjykatat e faktit, largimi i paditësit nga Policia e Shtetit është bërë në bazë të nenit 20/ç të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, duke iu dhënë dy paga shpërblim dhe pagesa kalimtare nga data 16.12.2006.

17.1. Pra, në rastin konkret nuk ka asnjë të dhënë që ka të bëjë me disiplinën në punë dhe/ose me shkelje ose jo të detyrimeve kontraktuale të palëve, fakt ky që ka rezultuar i vërtetuar gjatë gjykimit në shkallë të parë dhe në apel.

17.2. Në vijim të argumentimit të mësipërm, për çështjen konkrete nuk shtrohet për shqyrtim nëse kanë ekzistuar shkaqe të arsyeshme apo të justifikuara në kuptim të neneve 146 dhe 153 të Kodit të Punës, pasi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis palëve gjejnë zbatim dispozitat e legjislacionit të posaçëm.

17.3. Në këto kushte nuk ka arsye ligjore të ngarkohet punëdhënësi me përgjegjësi për të dëmshpërblyer punëmarrësit (paditësin).

18. Për sa më sipër Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.40, datë 01.02.2008 i Gjykatës së Apelit Vlorë duhet lënë në fuqi.

 

PËR KËTO ARSYE

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në neni 485/a të Kodit të Procedurës Civile,

 

V E N D O S I

Lënien në fuqi të vendimit nr.40, datë 01.02.2008 të Gjykatës së Apelit Vlorë.

 

Tiranë, më 14.06.2012

Abonohu



Receive HTML?