Nr.00-2012-1994 i Vendimit (307)

Nr.31001-01411-00-2012 i Regj. Themeltar

Nr.00-2012-1994 i Vendimit (307)

 
VENDIM

NË EMËR TË REPUBLIKËS

 

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga:

 

Ardian Dvorani Kryesues

Fatos Lulo Anëtar

Evelina Qirjako Anëtare

Andi Çeliku Anëtar

Medi Bici Anëtar

 

në seancën gjyqësore të datës 12.06.2012, mori në shqyrtim çështjen civile, që i përket:

 

PADITËS: SHOQËRIA “PLATEA” SH.A.

E PADITUR: DREJTORIA RAJONALE TATIMORE TIRANË.

DREJTORIA E APELIMIT TATIMOR PRANË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË TATIMEVE TIRANË

 

OBJEKTI:

Shfuqizimin e vendimit nr.19298/1, datë 17.02.2011

të Drejtorisë së Apelimit Tatimor

pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Shfuqizimin e pjesshëm të “Njoftim Vlerësimit Tatimor”

nr.9682/13, datë 16.09.2010 të Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë.

Baza Ligjore: Nenet 31, 32/a, 324 e vijues të K.Pr.Civile,

neni 106 e vijues të Ligjit nr.9920, datë 19.05.2008

Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”,

Kodi i Procedurës Administrative të Republikës së Shqipërisë.

 

 

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.s’ka , datë 31.10.2011, ka vendosur:

Rrëzimin e kërkesës së përfaqësueseve të palëve të paditura dhe përfaqësueses së avokaturës së Shtetit pranë Ministrisë së Financave për nxjerrjen e çështjes me nr.Regj.Them.8209 jashtë juridiksionit gjyqësor.

 

Kundër vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në bazë të nenit 59 të K.Pr.Civile, ka bërë ankim të veçantë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Avokati Shtetit pranë Ministrisë së Financave, të cilët kanë parashtruar këto shkaqe:

  • Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për mos pranimin e kërkesës për nxjerrjen jashtë juridiksionit gjyqësor të çështjes është në kundërshtim me dispozitat ligjore.

  • Më datë 18.10.2010 Shoqëria “Platea“ sh.a është ankuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Apelimeve Tatimore për shfuqizim të detyrimeve dhe gjobave të njoftuara me Njoftim Vlerësimin Tatimor nr.9682/13, datë 16.09.2010.

  • Nga Drejtoria e Apelimit Tatimor është refuzuar ankimi pa u marrë në shqyrtim, pasi nuk ka përmbushur detyrimin për pagimin e detyrimit.

  • Njoftim Vlerësimi Tatimor nr.9682/13, datë 16.09.2010, është i pa shqyrtuar në themel nga ana e organit administrativ dhe si i tillë nuk mund të ankimohet në rrugë gjyqësore.

 

KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SE LARTË

pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Ardian Dvorani; Av. Shtetit Abaz Deda, i cili kërkoi prishjen e vendimit të ndërmjetëm nr.8209, datë 31.10.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin është vendosur rrëzimi i kërkesës për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor si të pabazuar në ligj dhe i kërkon Gjykatës së Lartë të vendosë “Nxjerrjen jashtë juridiksionit gjyqësor”; përfaqësuesin e palës paditëse, av. Vangjel Kosta, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; dhe pasi diskutoi çështjen në tërësi,

 

V Ë R E N

Shoqëria “Platea” sh.a është person juridik i regjistruar në Q.K.R., me aktivitet tregtar “Ndërtimin, instalimin, menaxhimin e njësive të shpërndarjes e shitjes së gazetave, revistave, reklamave, etj”.

Në përfundim të kontrollit të ushtruar pranë kësaj shoqërie nga ana e Inspektorëve të Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, pala e paditur Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë ka nxjerrë aktin administrativ “Njoftim Vlerësimin për detyrimin tatimor” me nr.9682/13, datë 16.09.2010.

Sipas këtij akti, paditësi Shoqëria “Platea” sh.a detyrohet të paguajë TVSH-në për vitet 2008-2009 dhe tatim fitimin për vitet 2007-2009, në shumën prej 27.998.106 lekë.

Pala paditëse ka kundërshtuar “Njoftim Vlerësimin për detyrimet tatimore” të datës 14.10.2010 pranë Drejtorisë së Apelimit Tatimor, duke parapaguar pjesën më të madhe të detyrimit tatimor të përcaktuar në aktin administrativ “Njoftim vlerësimit tatimor” por jo të gjithë detyrimin, duke mos parapaguar edhe shumën 398.299 lekë me arsyetimin se për këtë shumë detyrimi nuk kishin kundërshtim.

Drejtoria e Apelimit Tatimor me vendimin nr.19298/1, datë 17.02.2011 ka vendosur: “ Refuzimin e ankimit, për shkak se e konsideron ankimin të papranueshëm, pasi nuk është bërë pagesa e detyrimit tatimor të përcaktuar në aktin administrativ që ankimohet”.

Në të tilla rrethana, Shoqëria “Platea” sh.a i është drejtuar me kërkesë padi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë duke kërkuar “Shfuqizimin e pjesshëm të “Njoftim vlerësimit tatimor” nr.9682/13 prot, datë 16.09.2010 të Drejtorisë Rajonale Tiranë dhe shfuqizimin e vendimit nr.192/1 prot, datë 17.07.2011 të Drejtorisë Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”.

Pala e paditur, me arsyetimin se nuk janë respektuar kërkesat e nenit 107 të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në R.SH.” dhe referuar neneve 59, 60 të K.Pr.Civile, ka kërkuar nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.s’ka, datë 31.10.2011, karrëzuar kërkesën e palëve për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor.

Në arsyetimin e vendimit të saj Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbështet prapësimet e paditësit në lidhje me kërkesën për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor, prapësime sipas të cilave Shoqëria “Platea” sh.a ka parapaguar atë pjesë të detyrimit që ishte objekt ankimi, ndaj Drejtoria e Apelimit Tatimor ishte e detyruar ta merrte ankimin e saj në shqyrtim, e për sa kohë organi më i lartë administrativ nuk e ka shqyrtuar ankimin jo për faj të subjektit ankimues (Shoqëria “Platea” sh.a ), ky i fundit nuk ka asnjë pengesë t’i drejtohet gjykatës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Kundër vendimit të mësipërm të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka bërë ankim të veçantë pala e paditur, e cila kërkon prishjen e vendimit datë 31.10.2011 dhe nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor, për shkaqet e përshkruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, që ka rrëzuar kërkesën e të paditurve për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor, është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit dhe si i tillë duhet të prishet dhe çështja të nxirret jashtë juridiksionit gjyqësor.

Të gjitha pretendimet e palëve në proces por edhe vendimi gjyqësor që ankimohet i referohen kushteve të nenit 107 të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në R.SH”.

Gjykata e shkallës së parë i referohet emërtimit të nenit 107 “Pagesa e detyrimit tatimor objekt ankimi” duke vënë theksin në termin “objekt ankimi”, me arsyetimin se vetëm detyrimi tatimor objekt ankimi është i detyrueshëm për t’u paguar nga subjekti që ankohet, duke i konsideruar të papërmbushura kërkesat e nenit 107 të ligjit “Për procedurat tatimore në R.SH.” nga pala paditëse, Shoqëria “Platea” sh.a.

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë konstatoi se referuar dispozitës së sipërpërmendur (neni 107) paditësi ka qenë i detyruar të paguante shumën e plotë të detyrimit tatimor, të përcaktuar në njoftimin e vlerësimit të administratës tatimore. Kështu sipas kësaj dispozite (107/1) “Tatimpaguesi, i cili kërkon të ankimojë, sipas pikës 1 të nenit 106 të këtij ligji, duhet që bashkë me ankesën, të paguajë shumën e plotë të detyrimit tatimor, të përcaktuar në njoftimin e vlerësimit të administratës tatimore”.

Duke mos u paguar (siç është vërtetuar) nga paditësi shuma e plotë e detyrimit tatimor, të përcaktuar në aktin administrativ që ankimohet, me të drejtë mbështetur në nenin 107/3 të ligjit “Për procedurat tatimore në R.SH”, Drejtoria e Apelimit Tatimor nuk e ka marrë në shqyrtim ankesën e tij.

Në të tilla rrethana, mbështetur në nenin 107/4 të ligjit “Për procedurat tatimore në R.SH”, akti administrativ, në rastin konkret “njoftimi i vlerësimit për detyrimet tatimore”, nuk mund të ankimohej në rrugë gjyqësore, pasi nuk është ezauruar më parë, për faj të paditësit, rruga administrative e ankimit të tij e për rrjedhojë çështja nuk bën pjesë në juridiksionin gjyqësor. Ky qëndrim vjen në përputhje të plotë edhe me qëndrimin e mbajtur nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin e tyre unifikues nr.04, datë 30.05.2011.

 

PËR KËTO ARSYE

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 63 të Kodit të Procedurës Civile,

 

V E N D O S I

Prishjen e vendimit nr.s’ka, datë 31.10.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor.

 

Tiranë, më 12.06.2012

 

 

 

 

 

MendimI I pakicËS

Si gjyqtarë në pakicë kemi qëndrimin se Kolegji Civil nuk duhet të kishte vendosur prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë duke e nxjerrë çështjen jashtë juridiksionit gjyqësor, por ky vendim gjyqësor duhet të mbetej në fuqi me një arsyetim te ndryshëm.

Në thelb, shumica e Kolegjit Civil arsyeton se pala paditëse “Platea” sha nuk e ka parapaguar të plotë detyrimin tatimor dhe interesat, meqenëse vetë kjo palë ka vlerësuar që nuk e kundërshtonte në tërësi aktin administrativ objekt ankimi dhe gjykimi. Përkatësisht, për pjesën e aktit administrativ që nuk ankimohej, pala paditëse nuk ka bërë parapagimin e detyrimit tatimor përkatës. Në rrethana të tilla, shumica arsyeton se parapagimi i plotë i detyrimit tatimor dhe interesave të tij është detyrim ligjor që nuk kushtëzohet me ankimin tërësor apo pjesor të aktit administrativ. Pavarësisht nga masa e vlerës së mbetur të detyrimit tatimor që nuk është parapaguar, një rrethanë e tillë (mosparapagimi i plotë i detyrimt tatimor), përbën mospërmbushje të kushtit ligjor për pranueshmërinë e ankimit në rrugë administrative, pra edhe mosezaurim të rrugës administrative. Për rrjedhojë çështja nuk bën pjesë në juridiksionin gjyqësor.

Ashtu sikurse edhe shumica, si gjyqtarë në pakicë kemi të njëjtin qëndrim për sa i përket detyrimit ligjor të parapagimit të plotë të detyrimit tatimor të një akt njoftimi vlerësimi tatimor, mospërmbushja e të cilit ka si efekt juridik edhe mungesën e juridiksionit gjyqësor për shqyrtimin e konfliktit.

Por, nga ana tjetër, si gjyqtarë në pakicë kemi qëndrimin se rrethanat e faktit që dalin nga provat e administruara në këtë gjykim e të pranuara nga gjykata, evidentojnë një arsye tjetër të mosparapagimit të plotë të detyrimeve tatimore dhe interesave përkatës.

Sikurse parashtrohet në padi, ashtu edhe sikurse është pretenduar me prova gjatë gjykimit, pas marrjes dijeni për aktin e njoftimit të vlerësimit tatimor, pala paditëse “Platea” sha ka vendosur të ushtrojë ankimin administrativ. Në respektim të detyrimeve dhe procedurave juridike e financiare të vendosura nga legjislacioni tatimor, përpara depozitimit të motiveve të ankimimit, pala paditëse ka kërkuar nga pala e paditur dhe në sistemin elektronik zyrtar të saj për llojet dhe shumat përkatëse të detyrimeve tatimore e të interesave të detyrueshme për t’u paguar në ditën e depozitimit të ankimit. Sipas rregullave në fuqi në fushën tatimore, tatimpaguesi duhet të parapaguajë llojet dhe shumat ekzakte të detyrimeve dhe interesave që rezultojnë nga “urdhërpagesat” edhe nëse ato mund të jenë të ndryshme (më të ulëta apo më të larta) krahasuar me vlerat e treguara në aktin e njoftim vlerësimit tatimor. Pikërisht, bazuar në “urdhërpagesat” përkatëse të prodhuara nga vetë pala e paditur, nga ana e palës paditëse është kryer edhe parapagimi i plotë i shumave përkatëse.

Gjatë fazës së shqyrtimit të ankimit administrativ, vetë pala e paditur pranon që tatimpaguesi (paditësi) ka shlyer detyrimet tatimore të pasqyruara në sistemin informatik. Po kështu pranon se pagesa e detyrimit mbi tatimin në burim dhe interesat nuk është kontabilizuar në sistemin e saj informatik dhe nuk është paguar nga paditësi. Shuma e mbetur “pa paguar” ka vlerën 398.299 lekë nga shuma totale prej 27.599.907 lekë e parapaguar tërësisht.

Pakica ka qëndrimin se përbën detyrim për vetë palët e paditura të marrin masat administrative dhe teknike të nevojshme për të trajtuar problematikat e sistemit të tyre informatik. Sipas dispozitave në fuqi, tatimpaguesi ka detyrimin imperativ të shlyejë e parapaguajë detyrimet tatimore dhe interesat ashtu sikurse i tregon ky sistem informatik. Pala e paditur nuk tregon dhe nga shqyrtimi i akteve normative në fuqi, të detyrueshme për tatimpaguesit, nuk rezulton të jetë i parashikuar ndonjë përjashtim, lidhur me shlyerjen e detyrimit dhe interesave të tatimit në burim sipas vlerave që rezultojnë jashtë sistemit informatik, pra thjesht mbështetur në shumën e treguar në aktin e njoftimit të vlerësimit tatimor. Nga ana tjetër, në një gjendje të tillë objektive, nga ana e palëve të paditura, përpara se të dispononin mbi ankimin administrativ, nuk i është komunikuar dhe as mundësuar palës paditëse të plotësonte këtë “mangësi” të procedimit, të shkaktuar pa fajin e saj.

Në të tilla rrethana, si gjyqtarë në pakicë kemi qëndrimin se pala paditëse ka shlyer e parapaguar detyrimet përkatëse në respektim të procedurave normative, akteve dhe njoftimeve zyrtare të prodhuara nga vetë pala e paditur. Ky është motivi për të cilin në fazën e ankimit administrativ, në padi dhe gjatë gjykimit, nga ana e paditësit është pretenduar si arsye e mosshlyerjes së detyrimit për tatimin në burim. Fakti që lidhur me këtë detyrim, vetë pala paditëse nuk kishte ndonjë kundërshtim, nuk lidhet me motivet e mosshlyerjes së plotë të detyrimeve tatimore për efekt të pranueshmërisë për shqyrtim të ankimit të tij administrativ. Vlera e shumë e vogël e mbetur pashlyer dhe motivi mbi ankimin e pjesshëm të aktit administrativ janë rrethana që, në thelb, nuk kanë motivuar palën paditëse dhe as janë evidentuar gjatë fazës së ankimimit në rrugë administrative nga palët e paditura, por janë të lindura dhe të vëna në bisedim si argumente shtesë pas fillimit të gjykimit.

Si përfundim, kemi qëndrimin se çështja bën pjesë në juridiksionin gjyqësor, vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të mbetej në fuqi, por me arsyetimin e ndryshëm sikurse është parashtruar më sipër.

 

Evelina Qirjako Ardian Dvorani

 

Abonohu



Receive HTML?